Shoqata e Transportit Ndërqytetas: Të luftohet informaliteti dhe të falen taksat e bashkisë

9 Korrik 2020, 12:15 | Përditesimi i fundit: 2020-07-09 16:09:45

Çmimi i biletës ka përçarë Shoqatën e Transportit Ndërqytetas. Disa prej tyre kërkojnë uljen e TVSH, pasi në të kundërt do të rritet cmimi i biletës, ndërsa disa të tjerë thonë se nuk do të rritet cmimi. "Aktualisht nuk diskutohet rritja e biletës. Ne kërkojmë që shteti të kthejë vëmendjen nga ne. Ka vite që kërkohet një rritje e çmimit të biletës. Ne jemi vendi në Ballkan me biletën me të ulët. Nafta është rritur, standardi është rritur", tha kreu i shoqatës, Kujtim Mema.

Pas përfundimit të konferencës, debatet mes përfaqësuesve të shoqatës vazhdojnë me dyer të mbyllura. 

Shoqata e Transportit Ndërqytetas ka dy kërkesa, që sipas tyre po dëmton këtë sektor. Kujtim Mema, kreu i shoqatës bëri dy kërkesa, që tha se janë imediate, të luftohet informaliteti dhe të falet taksa e bashkisë.

"Pas fillimit të punës ne shohim që jemi në gjendje të vështirë ekonomike dhe puna jonë nuk ka vlerë financiare. Po dëmtoheni nga transporti informal, shteti na premtoi që do na ndihmonte por nuk po marrim ndihmën e duhur. Informaliteti është në maksimum, sado task forca ka dalë për ta ndaluar, puna është e pakët dhe nuk vlen.

Na është premtuar se do na falet taksa e bashkisë. Ne kemi 5 muaj pa punë dhe nuk kemi para në familjet tona dhe jo më të paguajmë këtë taksë të bashkisë.  Rama ka thënë që taksat do të shtyhen deri në dhjetor, ndërkohë që bashki na i solli zarfin. I kërkoj këshilli bashkiak të ulën dhe të rishikojnë situatën tonë dhe të na ndihmojnë.  Premtimet janë të mëdha për ta ndihmuar sektorin tonë. Jemi duke pritur, por ka gjëra që nuk mund ti presim, sic është informaliteti", tha kreu i shoqatës.