Shoraj i surprizon të gjithë, ngjitet në podium dhe i siguron Shqipërisë medaljen e tretë në Europianin e Peshëngritjes

11 Prill 2019, 20:33

Shqipëria ka siguruar medaljen e tretë në kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Gjeorgji pasi Krenar Shoraj, sportisti që garoi ditën e sotme në kategorinë 89 kilogramë, ka siguruar vendin e tretë në stilin e shtytjes.

Shoraj fillimisht ngriti 195 kilogramë në provën e parë, ndërsa më pas me dëshirën për të fituar medalje në dygarësh provoi 200 dhe 201 kiligramë, por të dy provat rezultuan të pasukseshme. Gjithsesi mjaftoi kaq për të siguruar vendin e tretë në shtytje dhe për të fituar medaljen e bronxtë.

Ndërkohë në shkëputje, ashtu si në shtytje, Shoraj bëri mirë vetëm në provën e parë, ku ngriti 155 kilogramë, ndërsa në dy të tjerat dështoi. Për fatin e keq në këtë rast nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar madalje, ndërsa në dygarësh Shoraj e përfundoi garën me 350 kilogramë, duke u renditur i gjashti.

Më herët gjatë kampinatit Europian që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë Briken Calja ka fituar medaljen e artë në stilin e shtytjes, ndërsa Erkand Qerimaj ka fituar të bronztën në stilin e shkëputjes.