Përcaktohet rruga drejt Stambollit, Bayern-PSG dhe Real-Liverpool superpërballjet e çerekfinaleve të Champions

19 Mars 2021, 14:46 | Përditesimi i fundit: 2021-03-19 14:49:51

Finalja e edicionit të kaluar në Champions League Bayern Mynih-PSG këtë edicion do të përsëritet në fazën çerekfinale. Ky ishte verdikti i shortit të hedhur mesditën e sotme në Nyon të Zvicrës. Përveç përsëritjes së finales së vitit të shkuar ku bavarezët fituan trofeun dueli tjetër që spikat më shumë në fazën çerekfinale është ai mes Real Madrid dhe Liverpool me sfidën e parë që do luhet në Spanjë.

Më me fat kanë qënë goglat për dy ekipet e tjera angleze të mbetura në garë. Kështu Manchester City do të ndeshet në këtë fazë me Borussia Dortmund ndërsa Chelsea do të përballet me Porton. Ndeshjet e para të fazës çerekfinale do të luhen më 6 dhe 7 prill. Ndërkaq janë njohur edhe përballet e mundshme të fazës gjysmëfinale. 

Është hedhur shorti i çerekfinaleve edhe në Europa League ku dueli që spikat është ai mes Ajax dhe Romës ekipit të vetëm italian të mbetur në garë në kompeticionet europiane. Me fat kanë qënë dy ekipet angleze Manchester United dhe Arsenal që do përballen respektivisht me Granadën dhe Sllavian e Pragës. Çerekfinalja tjetër është Dinamo Zagreb-Villarreal. Ndeshjet e para të kësaj faze të Europa League do luhen më 8 prill.

Sa i përket dy dueleve të fazës gjysmëfinale fituesi i përballjet Granada-United do të përballet me fituesin e sfidës Ajax-Roma. Ndërsa Arsenali nëse kalon Sllavian e Pragës ashtu siç janë edhe pritshmëritë do të ndeshet me fituesin e çerekfinales Dinamo Zagreb-Villarreal./ Përgatiti Andi Kapxhiu