Shpallet kompania fituese për Aeroportin e Vlorës, do investojë 104 mln euro! Rama: Sjell zhvillim

5 Mars 2021, 12:22 | Përditesimi i fundit: 2021-03-05 15:29:15

TIRANË- Një konsorcium zviceran do të ndërtojë aeroportin e Vlorës me një investim prej 104 milionë eurosh, ndërsa ambicia e qeverisë është ndërtimi pas tij i një aeroporti në Sarandë e Korçë. Bëhet fjalë për bashkimin e kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction (Mabetex Group) (50%) me aksioner Behgjet Pacollin; YDA - Group (48%) kompania që po ndërton spitalin e Fierit dhe 2A Group SH.PK (2%) kompani kosovare, ku vlera e investimit është 103.966.030 Euro. 

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se ky aeroport do të jetë shtëpia e "Air Albania", teksa tha se pas pak javësh do të hapet aeroporti i Kukësit.

"Do të jetë shtëpia e Air Albania, do ketë industri të re të mirëmbajtjes së avionëve, do jetë një sektor i ri brenda industrisë së avionit, fakti që me negociimin e kontratës sa i përket aeroportit të Ramës, hapja e Aeroportit të Kukësit vetëm pak javë më pas.

Kryeministri Edi Rama tha se aeroportet sjellin punësim e zhvillim, ndërsa tha se qeveritë para tij kanë bërë premtime, ndërsa ata kanë nisur punën.

"Ju them njerëzve që thonë ‘ne s’kemi bukë, ju bëni aeroporte’, aeroportet janë fabrika buke, se nuk janë stacione autobusi, ku njerëzit hipin e zbresin, por janë fabrika zhvillimi të madh ekonomik. Aeroportet sjellin jo vetëm punësim për ata që punojnë në aeroport, por sjellin punësim për gjithë hapësirën ku ata kanë ndikimin e tyre. Një aeroport sjell me vete shumë shërbime të reja. Duke rritur fluksin e njerëzve që vijnë, nevojat që krijohen nga këto flukse, aeroportet sjellin hotele, shërbime bankare të reja, manifakturë, fabrika të reja, një zinxhir gjërash. Është shkencërisht e provuar që çfarë investon në një aeroport ka një shumëfishim eksponencial. 1 euro e investuar në aeroport është minimumi 23 euro mbrapsht në ekonomi. Një nga problemet që do të lindë do të jetë mungesa e krahut të punës, pasi kërkohen një numër zanatesh dhe një numër kategorish profesionale, që është marramendës. Katër aeroporte për Shqipërinë janë vendosja e Shqipërisë në një nivel tjetër ekonomik e social. Bëhet realizimi i vizionit për të rinjtë dhe ata që punojnë. Me këtë aeroport do të hapet një tjetër kanal zhvillimi shumë i rëndësishëm”, tha Rama