Shpërthen anija-cisternë 'Athlos' në Qipro, ekuipazhi hidhet në det, plagosen dy anëtarë

29 Dhjetor 2018, 11:51

Greqi-Një anije-cisternë ka shpërthyer në Qipro, duke shkaktuar plagosjen e dy anëtarëve të ekuipazhit.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 10:00 të mëngjesit, pak para se anija “Athlos”  të nisej drejt portit Aspropirgo.

Mediat greke raportojnë se 5 persona të ekuipazhit të përbërë nga 17 vetë janë hedhur në det për të shpëtuar, ndërsa dy personat e plagosur, të cilët kanë pësuar djegie, kanë mbërritur në bregdet me tre anëtarë të tjerë të ekuipazhit me një anije peshkimi dhe më pas janë transferuar në spitalin e përgjithshëm të Nikosisë, për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Po sipas mediave fqinje, kapiteni i anijes nuk ka pranuar të braktisë timonin, pavarësisht thirrjeve të autoriteteve dhe rojës bregdetare të Qipros.

Momentalisht autoritetet bregdetare po përpiqen për të transferuar pjesën e ngelur të ekuipazhit në spital, ndërkohë që raportohet se situata është vendosur në kontroll.