Shpërthen bombola e gazit në Selenicë, shtëpia në flakë, gruaja në gjendje të rëndë në Tiranë

17 Korrik 2019, 10:32 | Përditesimi i fundit: 2019-07-17 14:18:56

SELENICË-Një bombol gazi ka shpërthyer mëngjesin e sotëm duke sjellë përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa janë plagosur burrë e grua. Ngjarja ka ndodhur në orën 05:53. Të plagosurit janë pronarët e banesës 49 vjeçari Rexhep Selimi dhe bashkëshortja e tij 42 vjeçare Mimoza Selimi. Gruaja raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Sipas policisë së Vlorës, nuk ka persona të tjerë të dëmtuar nga shpërthimi, pasi në banesë ishte vetëm çifti dhe zjarri nuk përbën rrezik për banesat e tjera, pasi janë në një distancë të largët. Çifti kishte dy bombola gazi në banesë, njërën 15 litra dhe tjetra 4, ndërsa vetëm njëra raportohet se shpërtheu.

Grupi hetimor po vijon veprimet e mëtejshme procedurale për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit të bombolës, paraprakisht dyshohet se ka pasur rrjedhje gazi. Kujtojmë që ditën e hënë shpërtheu në Bllok një bombol që përdorej për përpunimin e floririt në ambientin e bodrumit të një argjendarie, ndërsa u plagosën pronarët burrë e grua. Shpërthimi erdhi si pasojë e një pakujdesie.