Shqipëria e dënuar për të fituar sonte përballë modestëve të Andorës/ Zbulohet formacioni

25 Mars 2019, 12:03

Sonte në orën 20:45 kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë ndeshjen e dytë eliminatore për kualifikueset e Europianit në grupin H, përballë Andorës duke synuar pikët e para.

Pas humbjes turpëruese përballë Turqisë në ndeshjen e parë në Shkodër, fitorja është detyrim për kuqezinjtë, që pas shkarkimit të Panucit, sonte do të drejtohen nga Bulku dhe Mema. Dje ekipi kombëtar ka bërë stërvitjen e fundit para ndeshjes duke vendosur piketat edhe për formacionin, me të cilin do të zbresë në fushë.

Në portë nuk diskutohet që do të jetë Berisha. Më pas në mbrojtje, përpara tij do të rreshtohen Hysaj, Gjimshiti, Ismajli dhe Veseli. Në repartin e mesfushës janë përzgjedhur Basha, Kaçe dhe Xhaka, ndërsa në sulm do të jetë  Sadiku, i mbështetur nga krahët nga Uzuni dhe Grezda.

Megjithatë deri në 20:45 nuk përjashtohen surprizat, me objektivin e vetëm tre pikët e plotë për të harruar humbjen e parë dhe Panucin.