'Shqipëria lider në rajon në qeverisjen digjitale', Rama: Bëmë revolucion pasi hoqëm nga prehri LSI

19 Mars 2021, 14:42

Gjatë prezantimit të programit të PS për Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin kryeministri Edi Rama premton se në mandatin e tretë qytetarët do të mund t'i kryejnë përmes telefonit të gjitha shërbimet. Sipas tij çdo qytetar që kërkon një shërbim apo një dokument nuk ka nevojë të shkojë në sportele, por mund ta marrë përmes telefonit apo kompjuterit.

Në 7 vite, Rama tha se qeveria realizoi një revolucion dixhital duke ofruar përmes portalit e-albania 95% të shërbimeve online. Para 7 vitesh sipas Ramës qytetarët rrinin në radhë për vërtetime, për të paguar dritat apo qoftë edhe çmimet afrofe, por sot sipas tij është bërë një revolucion. Kryeministri theksoi tha se dixhitalizimi mori hov pasi ai mori i vetëm timonin e hoqi nga qeverisja LSI.

Kreu i qeverisë e cilësoi Shqipërinë, lider në rajon sa i takon qeverisjes digjitale. Gjatë fjalës së tij, Rama thekoi se në këto shtatë viteve, është zhbërë ryshfeti dhe korrupsioni nëpërmjet shërbimeve qeveritare të ofruara online, për më tepër, njerëzit nuk janë të detyruar të presin për radhë të gjata.

“Gjërat kanë ndryshuar aq shumë. Nuk ishte 70 vjet më parë dhe as 27 vjet më parë por vetëm 7 vite më parë koha kur të gjithë ju për të marrë një copë letër që nga një certifikatë e zakonshme te një dokument vërtetimi duhet të rrinte në rradhë apo e keni harruar. Sa shumë rradha keni bërë për çdo copë letër para 7 vitesh. Më parë njerëzit paguanin për të marrë shërbime, Një dorë zgjatej e tërhiqej për të marrë ca dokumente për një vërtetim të vetëm. Për një vërtetim merrnit disa letra shko atje hajde këtu”, tha Rama.