'Shqipëria luan vetëm për fitore', Bushi Anglinë e njohim mirë

7 Nëntor 2019, 13:24

Me 15 nëntor Shqipëria e 21-vjeçarëve do të përballet me Anglinë, kundërshtarin që renditet i pari në grup dhe që ka dy ndeshje më pak se kuqezinjtë. Në prag të kësaj sfide, trajneri Alban Bushi që sot bëri publike edhe listën me futbollistët e grumbulluar, është shprehur:

“Ne e dimë kush është Anglia, kemi parë disa ndeshje që ka luajtur. Kjo është në favor për ne. Gjithsesi Shqipëria futet gjithmonë në fushë për të fituar një lojë pavarësisht nëse është Anglia apo San Marino.”Bushi e ka të qartë se si 21-vjeçarët shqiptarë mund t’ia dalin kundër ‘tre luanëve’.

“Nëqoftëse nuk bëjmë gabime individuale as Anglia nuk na bën gol. Nqs nuk bëjmë gabime individuale, nqs ne luajmë si ekip në grup, Anglia e ka të vështirë për të na bërë gol. Nuk ka të bëjë se është Anglia dhe duhet të ulim kokën. Patjetër që është ekip i madh, duhet ta rrespektojmë, por do ta ketë shumë të vështirë për të na mundur ne.”

Shqipëria në ndeshjen e fundit eliminatore mposhti Kosovën me shifrat 2-1, por renditet në vendin e katërt me 5 pikë. Gjithsesi në raport me tre vendet e para ka 1 ose 2 ndeshje më shumë.