Shqipëria mori sot zyrtarisht Kryesimin e Presidencës së OSBE-së për vitin 2020. Në Bratislavë së bashku me kryeministrin Edi Rama ishte dhe ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj. Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi këtë si një moment historik dhe inspirim për Shqipërinë. Gjithashtu, Edi Rama u shpreh se është një përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, por edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkëlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE.
Ndërkohë që ministri Cakaj thotë se Shqipëria është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive. "Pas një lobimi të fuqishëm dhe pas një pune kapitale përgatitore nga diplomacia shqiptare, një punë e përkrahur edhe nga aktorë të rëndësishëm evropianë, si në rrafshin politik e programatik ashtu dhe në rrafshin organizativ e logjistik, Shqipëria sot është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive" shkruan Cakaj.