Shqipëria në Edicionin e ’82 të Fiera del Levante, Genc Kondi: Prioritet turizmi dhe prodhimet bujqësore

8 Shtator 2018, 14:11 | Përditesimi i fundit: 2018-09-08 15:38:33

BARI-Ka nisur në edicioni i ’82 i Fiera del Levante, një nga panairet më të rëndësishëm në botë. Ky edicioni i 82-të ka nisur nën moton “Të jemi në një hap me kohën”. Në këtë panair marrin pjesë 100 shtete, mes tyre dhe Shqipëria, ku do bëhet prezantimi i produkteve shqiptare në këtë panair.

I dërguari i "Shqiptarja.com" dhe Report Tv në Bari, Genc Kondi, në një lidhje skype, ka treguar formatin e këtij panairi, rëndësinë por edhe mesazhet e rëndësishme të kryeministrit italian, Giuseppe Conte.

Raportimi me të dërguarin në Bari, Genc Kondi

Cila është rëndësia që merr ky panair për vendet e lindjes dhe posaçërisht Shqipërinë?

Është  një traditë që po zhvillohet prej 82 vitesh, e organizon jo shteti italian por rajoni i Puglias, pasi është rajoni më në kufi me Evropën lindore, dhe Lindjes së Mesme. Kjo nuk është vetëm një ekspozitë apo panair, është një mënyrë për të prezantuar dhe për t’u njohur me atë që ofrojnë vendet e ndryshme, për ofertën dhe kërkesën në të gjitha spektrat e jetës.
Panairin e ka vizituar edhe kryeministri Conte. Çfarë mesazhi përcolli ai?

Kryeministri pritet të vijë, ka botuar një mesazh paraprak, në të cilin është shprehur rëndësia e lidhjes së Italisë, Puglias me vendet e rajonit. Në mesazh theksohet angazhimi i Italisë për të përfunduar gazsjellësin që lidh dy vendet tona.

Ka patur një debat në Itali, sidomos nga qeveria e re, e cila ka dalë kundër këtij projekti, por duke parë interesin e SHBA-ve dhe Evropës, kryeministri ka thënë se pritet të merret vendimi pro të gjithëve. Ky gazsjellës ka rëndësi të veçantë, pasi do të sjellë gazin natyror edhe në Shqipëri. Itali është vendi i fundit që furnizohet por Shqipëria është për herë të parë në këtë nismë. Do vihet në lëvizje TEC-i i Vlorës. Ky është një nga angazhimet e shprehura qartë nga kryeministri.

Të ndalemi tek stenda e Shqipërisë. Me çfarë prezantohemi në këtë panair?

Risia në këtë mes do të ishin turizmi dhe bujqësia. Është vënë në dukje nga italianët, që janë shprehur të kënaqur nga natyra e virgjër. Operatorët privatë në fushën e turizmit kanë qenë këtu, por edhe bujqësia. Jo kot, agroturizmi është kthyer në një moto, shqiptarët kanë rritur kërkesën por edhe të huajt duan diçka që prodhohet në Shqipëri. Dy sferat që janë në këtë panair, pa harruar edhe materialet e ndërtimit që prodhon Shqipëria.

Sa shtete marrin pjesë në këtë edicion dhe çfarë ka të veçantë në panairin e 82-të?

Janë prezente mbi 100 shtete, vihet në dukje prezenca e Lindjes së Mesme. Janë vende që janë në zhvillim, si rasti i Indisë dhe Kinës që kërkojnë hapësirë në tregun evropian. Singapori, India dhe Koreja e Jugut synojnë të prezantojnë gjetjet e fundit të teknologjisë. Motoja është “Të ecim me hapin e kohës”.