Në të gjithë Shqipërinë është përkujtuar sot 108-vjetori i Pavarësisë. Në rrethe është vënë re që politika i ka ndarë festimet. Është përkujtuar 28 Nëntori në memorialin e “Dëshmorëve të Kombit” në Berat. Drejtues vendorë, historianë, familjarë të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë dhe qytetarë ishin të pranishëm në ceremoni. Politika ishte e ndarë edhe në Berat, ku përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera opozitare,i zhvilluan homazhet 30 minuta pasi ishin larguar pushtetarët. Në Durrës, bashkia nuk kreu asnjë aktivitet me rastin e 28 Nëntorit për shkak të pandemisë. Ndërsa të shumtë ishin qytetarët që nga Shqipëria dhe Kosova që kanë zgjedhur të kalojnë ditët e pushimit në qytetin bregdetar. Pavarësisht se mungonte atmosfera festive kafene e zonës së plazhit ishin plot këtë të shtunë. Në Elbasan homazhet u kryen pranë bustit të Aqif Pashës dhe Lef Nosit, fillimisht nga përfaqësuesit e qeverisë dhe bashkisë. Ndërsa pas një ore vendosen tufa me lule opozitarët e Elbasanit. Edhe në Lezhë u kremtua këtë të shtunë 108-vjetori i shpalljes së pavarësisë. Me pjesëmarrje të kufizuar, pranë obeliskut të Besëlidhjes u ngrit flamuri dhe u vendosen kurora me lule nga autoritete lokale. Gjatë ceremonisë policia u angazhua për të ndaluar grumbullimet në qender të qytetit. Në sheshin "Europa Plazza" kryebashkiaku i Fierit dhe deputetët e PS-së morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Ndërsa demokratët e Fierit kremtuan Pavarësinë dhe Ditën e Çlirimit. Një paradë me kuaj dhe makina të Discover Jeep Albania krijoi një atmosfere të këndshme në këto ditë festash, ndryshe nga vitet e tjera.