TIRANË- Pavarësisht punës se bërë dhe ndryshimeve ligjore, Shqipëria përsëri konsiderohet si një vend me rrezikshmëri të lartë për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Në muajin Shkurt ishte Moneyval, që e futi vendin në listën gri, tashmë është Indeksi i Bazelit, i cili e klasifikon vendin me risk të lartë për këtë fenomen.
Shqipëria renditet në vendin e 44, nga 141 vende të botës që janë marrë në shqyrtim.
Nga vendet fqinje, por edhe në Ballkanin Perëndimor vendi ynë është më negativ në renditje, e që pësohet më pas nga Bosnje-Hercegovina që është në vendin e 47 dhe Serbia e renditur e 54 në indeks.
Përparim dhe një renditje pozitive në listë duke u konsideruar si shtete me rregulla të forta kundër këtij fenomeni në rajon janë Maqedonia që renditet në vendin e 117, Kroacia në vendin e 119 dhe Mali i Zi në vendin e 126. Më lartë në renditje për risk të ulët për pastrimin e parave është Greqia ne pozicionin e 127 dhe Sllovenia në vendin e 133.
Ndërkohë vlen të theksohet se Shqipëria është 3 vende më mirë se Turqia e cila ndodhet në vendin e 41 për rrezikshmëri në këtë drejtim ndërsa ne në vendin e 44. Shteti i parë është Afganistani për pastrimin e parave ndërsa i fundit Estonia pa rrezik për pastrim parash.
Indeksi i Bazelit ka marrë në shqyrtim cilësinë e kuadrit ligjor për parandalimin e pastrimit të parave, nivelin e korrupsionit, transparencë në financa dhe rreziqet juridike e politike.