'Shqipëria vuan ndaj kundështarëve që rrinë në mbrojtje', Reja pas fitores me San Marino!

1 Prill 2021, 14:17

Pavarësisht fitores 0-2 përballja kundër San Marinos rezultoi mjaft e vështirë për kombëtaren. Sipas trajnerit Reja kjo ndodhi pasi kuqezinjtë e kanë të vështirë ndaj ekipeve që qëndrojnë në mbrojtje, ndërsa sipas tij çelsi për fitoren ishte loja nga krahët.

“Në këto dy ndeshje patëm vështirësi sepse kur skuadrat mbyllen e kemi të vështirë për të konkretizuar. E kundërta ndodh kur happen, siç e treguam edhe sot në pjesën e dytë. Kjo sidomos pas ndryshimeve të bëra në formacion. Lenjani dhe Hysaj bënë shumë krosime. Do më pëlqente natyrisht të luanin më mirë në pjesën e parë, sepse nuk bëmë aq sa duhet, ndërsa në pjesën e dytë më mirë,”-deklaroi Reja.

Ndërkohë dy autorët e golave, Rei Manaj dhe Myrto Uzuni, ishin të vetëdijshëm për pjesën e parë të dobët të Kombëtares.

“Zhvilluam një ndeshje të mirë në pjesën e dytë, se në pjesën e parë San Marino qëndroi shumë mbrapa me 8 lojtarë. Në pjesën e dytë gjetëm forcën, sepse donim që të bënim golin e parë sa për t’u hapur loja. Shyqyr zotit Uzuni futi një kros të bukur dhe markuam golin,”-u shpreh Rei Manaj. 

“E vetmja zgjidhje sot ishte vetëm fitorja. Për ne ishte detyrë shtëpia për të marrë tre pikët. Normalisht që nuk jam i kënaqur, por kundër Andorës dhe San Marinos treguam forcën tonë. Kemi ekipe të forta në grup si Hungaria dhe Polonia të cilat duhet t’i rivalizojmë,”-tha Uzuni

Sakaq portieri Strakosha fillimisht thotë se beson që kombëtarja mund të arrijë vendin e dytë në grup, ndërsa kujdeset të evidentojë faktin që askush nuk duhet të mërzitet nëse nuk është në formacionin e Rejas. Sipas tij kombëtarja është diçka ndryshe nga klubi.