Shqipëri-Angli, FSHF: Policia nuk garanton sigurinë, anulimi i sfidës do të ishte katastrofë! Përgënjeshtrojnë uniformat blu: Kemi marrë të gjitha masat

25 Mars 2021, 18:04

Bizneset në perimetrin e jashtëm të stadiumit ‘Air Albania’ janë bërë objekt përplasje mes policisë së shtetit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo e fundit fillimisht ka bërë publike një letër të policisë së Tiranës, e cila nuk merrte përsipër organizimin e ndeshjes së kombëtares kundër Anglisë të dielën në orën 18, me arsyetimin se strukturat e vendosura jashtë stadiumit nga bizneset cënojnë standartet e sigurisë.

Nuk ka vonuar shumë dhe për situatën e krijuar ka reaguar Policia e Shtetit, e cila ka hedhur poshtë pretendimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke e akuzuar edhe për frymën e munguar të bashkpunimit.

Sipas policisë së shtetit FSHF duhet të negociojë për çdo rast të ngjashëm me ta dhe jo me policinë e Tiranës, e cila gjithsesi nuk i ka kthyer përgjigjje negative, por i ka kërkuar federatës rinegocim për perimetrin e jashtëm të stadiumit, që është bërë shqetësim edhe për UEFA-n.

Policia e Shtetit më tej konfirmon se nëpërmjet strukturave të saj ka marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes, por edhe shoqërimin e ekipit mik gjatë kohës që do të qëndrojnë në Tiranë. Përballja mes Shqipërisë dhe Anglisë është e vlefshme për kualifikueset e Botërorit.

"Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.

Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe z. Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoratit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave.