Shqipëri-Gjermani, marrëveshje për programin sektorial të ujërave dhe furnizimit me ujë të zonave rurale IV

17 Prill 2019, 21:36 | Përditesimi i fundit: 2019-04-17 21:38:42

Shqipëri-Gjermani, marrëveshje për programin sektorial të ujërave dhe furnizimit me ujë të zonave rurale IV

Qeveria Shqiptare dhe Republika federale Gjermane kanë nënshkruar ditën e sotme marrëveshjen për Bashkëpunimin Financiar 2018, për projektin “Programi sektorial i ujërave dhe furnizimi me ujë i zonave rurale IV.

Marrëveshja u nënshkrua nga ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Sussane Schutz dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila theksoi se kjo marrëveshje pritet që të ndikojë në infrastrukturën turistike dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Është kënaqësi që të jemi sërish bashkë në një projekt të rëndësishëm për infrastrukturën turistike dhe sigurisht për cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë.

Fal bashkëpunimit të shkëlqyer me RFGJ dhe Bankën për Zhvillim, KfW, kemi mundur që të realizojmë një sërë projektesh në zhvillimin e vendit dhe jetën e qytetarëve. Këto projekte janë shtrirë në fusha të ndryshme, duke nisur nga elektroenergjetika, tek infrastruktura rrugore dhe tani së fundmi në infrastrukturën e ujësjellës kanalizimeve. Marrëveshja që firmosëm sot, i hap rrugën realizimit të një projekti mjaft të rëndësishëm, siç është ai i furnizmit me ujë të zonave rurale, që përfshin kryesisht zonat bregdetare të jugut të Shqipërisë, duke u fokusuar në bashkinë e Himarës dhe bashkinë e Orikumit. Përmes këtij projekti do të mundësohet përmirësimi i infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve, sigurimit dhe aksesit të qendrueshëm të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj zone. Projekti parashikon sistemimin e kanalizimeve të përshtatshme nëpërmjet sistemit të tyre, për trajtimin e ujërave të ndotur dhe përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese. Zbatimi i këtij projekti do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe do të promovojë zhvillimin e turizmit në zonën e projektit, duke e çuar numrin e përfituesve në 80 mijë banorë, duke përfshirë këtu edhe turistët”, – u shpreh Balluku.

Sipas ministres, Qeveria shqiptare është duke zhvilluar koncepte afatgjata për zgjidhjen e probleme të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në zonën e Himarës dhe Orikumit.

“Qeveria shqiptare është e interesuar që të zhvillojë koncepte afatgjata për furnizimin me ujë dhe të infrastrukturës së kanalizimeve për të gjithë hapësirën e bashkisë së Himarës dhe Orikumit, me fokus brezin bregdetar. Zhvillimi i turizmit është një nga prioritetet tona kryesore dhe në vitet e fundit, ai ka marrë një hov të ndjeshëm sasior dhe cilësor, i reflektuar qartazi edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria shqiptare është e fokusuar maksimalisht për të ndërhyrë me projekte thelbësore në përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike”.

Ndërsa ambasadorja Sussane Schutz u shpreh se projekti prej 42 milionë eurosh do të përmirësojë ndjeshëm situatën e ujit të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të ndotur në Himarë dhe Orikum.

“Është kënaqësi për mua që të nënshkruaj marrëveshjen e përbashkët me titull “Furnizimi me ujë i zonave rurale 4”, duke shënuar kështu nisjen e masave të mëtejshme për furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të ndotur në Shqipëri. Projekti me një vëllim të përgjithshëm prej 42 milionë eurosh, është vazhdimi i rezultateve pozitive të projekteve pararendëse, mes të cilave u arrit të përmirësohej furnizimi me ujë në më shumë se 160 fshatra të Shqipërisë, fokusi ynë tanimë janë zonat bregdetare në Himarë, Orikum dhe në disa pjesë të Vlorës. Ne kemi në vëmendje si popullsinë vendase, ashtu edhe turistët e shumtë, që do të thotë se do të furnizojmë me ujë të pijshëm, higjienikisht të sigurt, sikundër dhe një trajtim të rregullt të ujërave të ndotura, për aktualisht një numër popullsie prej 70 mijë njerëzish, me tendencë në rritje ky numër, pasi parashikohet që të rriten jo vetëm numri i turistëve, por edhe i popullsisë në vitet e ardhshme. Ne kujdesimi njëkohësisht edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe të resurseve të ndryshme. Burimi i Lepushës ka një ndër ujërat e pijshëm më të mirë në Shqipëri dhe bregu i Himarës është i veshur nga një florë dhe faunë e pasur. Këto janë pasuri të vyera, ku Shqipëria ka detyrimin e mbrojtjes edhe në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe procesit të afrimit me Bashkimin Europian. Përmes këtij projekti, sigurojmë ujë të pasur për banorët dhe turistët. Ruajtjen e turizmit të bukur dhe burimeve të vyera, çka nga ana tjetër do të atraktivitetin e zonës për turistët dhe krahas kësaj do ta sillte Shqipërinë krahas standardeve të BE-së”, – theksoi Schutz.

Në përfundim të fjalës së tyre, ambasadorja Schutz dhe ministrja Balluku nënshkruan marrëveshjen.