Firmoset marrëveshja mes Shqipërisë dhe SHBA-së për gazin e lëngshëm, Kim: Akt i jashtëzakonshëm!

12 Mars 2021, 17:42 | Përditesimi i fundit: 2021-03-12 18:21:38

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, po nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi midis MIE dhe Exxon Mobil & Excelerate Energy për vlerësimin e kuadrit rregullator teknik dhe komercial të futjes së gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Shqipëri.

Një projekt i cili përfshin zinxhirin e plotë duke nisur nga konvertimi i TEC Vlorë me LNG, ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi, e deri tek shpërndarja në shkallë të vogël e LNG, duke shndërruar Vlorën në një HUB rajonal.

Të pranishëm në firmosjen e marrëveshjes, janë kryeministri Edi Rama, ambasadorja amerikane Yuri Kim, ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber.

Përfaqësuesi i kompanisë amerikane: Projekti duhet të sjellë transformim në Shqipëri, por edhe në rajon, për burimet e brendshme hidrokarbure që është gazi natyror. Roli kyç është furnizimi me energji. Ne jemi pjesëmarrës në 13 projekte globale. Sa i përket pjesës marrëse ne kemi zhvilluar edhe projekte offshore. Pres mundësi që të optimizojmë atë çfarë kemi bërë në përfitim të këtij projekti. Kemi një kapacitet prej 70 milion të gazit të lëngshëm natyror dhe jemi lider në energji.