Shqiponjat e Fierit marrin falenderimet e turistëve gjermanë, telefonata e qytetarit i riktheu biçikletat

17 Shtator 2019, 12:37

FIER - Një 19-vjeçar u pikas nga një qytetar në Fier teksa ishte duke vjedhur dy biçikleta, të cilat rezultuan të ishin të dy turistëve të huaj, një djali dhe një vajze. Pas marrjes së denoncimit nga qytetari policia bëri të mundur gjetjen e biçikletave dhe arrestimin e autorit 19-vjeçar me inicialet K.M i cili u ndalua në lagjen e romëve.

Ai u pikas duke vjedhur biçikletat në zonën e quajtur "Azotiku", teksa  dy turistët gjermanë ishin duke filmuar.

Shërbimet e Policisë “Shqiponjat” u kanë dorëzuar biçikletat turistëve gjermanë, të cilët kanë falënderuar Policinë për gjetjen e tyre.

"Policia e Fierit falënderon qytetarin për besimin, bashkëpunimin dhe reagimin qytetar, pasi raste të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e vendit dhe fton cilindo që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 ose në "Komisariatin Dixhital", duke garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm", thotë policia në një njoftim zyrtar.