TIRANE-Sonte në orën 20:45 kombëtarja shqiptare e futbollit do të inaugurojë stadiumin e ri përballë kampionëve të botës, sfidë që mbyll edhe ndeshjet në grupin 'H' të eliminatoreve.
Kuqezinjtë nuk do të kenë presion e rezultatit, pasi shpresat për kualifikim u shuan që në Turqi, por sonte do të tentojnë që ta nisin me këmbën e mbarë në stadiumin e ri. Por, 90' nuk do të jenë të lehta, kur mendon se përballë do të jenë as më pak dhe as më shumë, por kampionët e botës.
Gjelat' kanë paralajmëruar se nuk do të tolerojnë, pasi duan vendin e parë në grup. Shqipëria pritet që të zbresë në fushë me këtë formacion; Berisha në portë, përpara tij do të rreshtohen Dermaku, Veseli dhe Gjimshiti. Mesfusha do të jetë e ngjeshur me Gjasulën, Memushajn, Baren, Hysajn dhe Lenjanin. Ndërsa Balaj dhe Manaj do të jenë në sulm.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vizitoi kombëtaren shqiptare të futbollit një ditë para debutimit në ‘’Air Albania Stadium’’ ndaj Francës. Stadiumi do të jetë plot, ndërsa do të inaugurohet me një ceremoni të veçantë ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti i UEFA-s, Ceferin, ndërsa atmosferën para ndeshjes do ta ndezin këngëtarët Era Istrefi, Aurela Gaçe, Elvana Gjata, Flori Mumajesi si edhe Juliana Pashën që do të këndojë himnin shqiptar.
Disa orë para ndeshjes, kryeministri Rama ka pritur në një takim në Kryeministri, presidentin e UEFA-s, Ceferin.