Shqiptarët e Maqedonisë në Durrës: Na u bë zemra mal për të shpëtuarit

28 Nëntor 2019, 19:39

Nga Durrësi në lagjen nr. 6 ku ishte së bashku me kreun e BDI-së Ali Ahmeti dhe kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, Presidenti Ilir Meta falenderoi ekipet e kërkim shpëtimit që erdhën nga Shkupi për të ndihmuar shqiptarët në këtë moment të vështirë pas tërmetit.

"Ju shpreh mirënjohjen më të thellë, nuk do ta harrojmë kurrë këtë ndihmë dhe solidaritet kaq vëllazëror. Falenderoj presidentin Pendarovski, kryeministrin Zaev dhe të gjithë politikën në Maqedoni që vijon që të jetë pranë nesh" tha Meta.

Ndërsa kreu i BDI-së, Ali Ahmeti "Kam ardhur për t'iu inkurajuar për misionin tuaj fisnik, dashtë Zoti që tragjedi të tilla të mos ketë, por janë zhvillime të paparashikueshme dhe ne duhet të jemi të përgatitur. Mua më është bërë zemra mal kur kam dëgjuar për punën dhe sakrificën tuaj. Kam qenë krenar kur dëgjova se keni shpëtuar jetë njerëzish. Uroj të gjithëve shëndet dhe Zoti ju ndihmoftë në misionin tuaj" tha ai.