Shqiptarët në Siri/ Spiropali: Tentuam në fund të gushtit t'i kthenim, por operacioni ngriu

4 Nëntor 2019, 11:37

Elisa Spiropali theksoi se në fund të gushtit qeveria shqiptare tentoi në një operacion për kthimin e shqiptarëve që kanë qenë pjesë e ISIS dhe tani mbahen në kampe, por dështoi për shkak të rindezjes së konfliktit.

"Po bëjmë detyrën për t'i shpëtuar sipas modelit të Kosovës. Janë identifikuar shqiptarët, përfshirë fëmijët e lindur atje. Duke pasur parasysh mungesën e strukturave në zonën e konfliktit, kontaktet janë vendosur me partnerët në Korrik dhe Gusht, në fund të Gushtit u diskutua për një operacion të mundshëm.

Pas propozimit të planit për transferimin në struktura të specializuara për transportin drejt Shqipërisë situata ndryshoi, pasi u ndez konflikti duke ngrirë operacionin. SHBA u tërhoq dhe pati luftime të forcave turke në terren. Aktualisht një grup operacional po rivendos kontaktet në terren dhe po peshon mundësinë për të riatdhesuar shqiptarët pas roleve të ndryshuara të aktorëve në terren".