Shqiptarët po martohen shumë të rinj, sociologu Tushi: Ata që i jepen tundimit nuk kanë lidhje jetëgjatë

15 Qershor 2019, 18:51

Numri i të rinjve në Shqipëri që  martohen në moshë të re vijon të ruajë të njëjtin trend, kjo mesa duket e ndikuar dhe nga tradita.

INSTAT ka nxjerrë të dhëna për vitin 2018 që tregojnë se për vajzat, më shumë se 53 % e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç, dhe deri në moshën 29 vjeç janë kryer 80,5 % e tyre. Mosha mesatare e vajzave është 25.5 vjeç, ndërsa një vit më parë ka qenë 26.5 vjeç. 

Tek meshkujt, 54,6 % e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç, dhe 82,4 % e martesave deri në moshën 34 vjeç, pra mosha mesatare e martesës është 30.2 vjeç.

Për faktin se pse shqiptarët po martohen në një moshë më të re, është shprehur për Report Tv, sociologu Gëzim Tushi. Ai thotë se rënia e moshës mesatare për tu martuar tregon se standardet e qytetërimit nuk kanë ardhur të plota tek ne.

 "Trendi i kohës moderne është rritja e moshës së martesës, kudo në perëndim, kurse tek ne kjo prirje ka shkaqet e veta. Natyrisht ne kemi një mbivlerësim shumë të madhe për institucionin e martesës, në një farë mënyre kemi një këmbëngulje që me çdo kusht sa më parë të jetë e mundur ta realizojmë  martesën e vajzës ose të djalit duke menduar që martesa është një institucion i stabilitetit te njeriut", shprehet Tushi.

Po ashtu sociologu ka treguar se martesat që bëhen në moshë të re kanë një prirje më të lartë drejt divorcit.

 "Jam i sigurt që shumica e martesave që vijnë në moshë të re që janë rezultat i paraqitjes së jashtme, apo i tundimeve, i kërkesave të mishit, seksualitetit etj nuk janë jetëgjata, ndërsa një martesë e realizuar në një moshe të pjekur, kur partnerët që futen në martesë kanë krijuar një lloj  stabiliteti ekzistencial, qoftë në pikëpamje në raport me punën, me të ardhurat, me kushte të tjera jetese, këto e bëjnë më afatgjatë", thotë socialogu për Report Tv.

Gjatë  ditës së sotme kemi pyetur dhe qytetarët në lidhje me këtë fenomen që ka prekur vendin tonë, dhe mendimet kanë qenë të ndara, ku një pjesë e mbështesin dhe pjesa tjetër preferojnë të presin.

"Rreth 25, nuk është problem,  nuk do të thotë gjë mosha".

"30 vjec besoj"

"Tani mendoj se kur i ke vënë gjërat në vijë duhet të martohesh, pasi ke bërë një karrierë,një jetë një punë. Përshembull, unë për çunat mendoj se ështe diku tek 28-30, diçka e tillë".

Gjatë vitit 2018 kanë lidhur martesë 23 mijë e 104 çifte, rreth 2% më shumë se një vit më parë, ku numri i martesave ishte 22,641.