Shqiptarët zgjedhin festën greke për tu kthyer në atdhe, por përballen me radhë kilometrike në Kapshticë

28 Tetor 2019, 19:36

Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në doganën e Kapshticës për shkak të problemeve në sistem. Gazetarja e Report Tv, Gladiola Hoxha bën me dije se radha e automjeteve në doganë është më shumë se 1 km. Për fluksin e automjeteve në doganën e Kapshticës ka ndikuar edhe festa kombëtare në Greqi, ku edhe kjo e hënë ka qenë ditë pushimi duke bërë që pala greke të punojë me reduktim.

Emigrantët shqiptarë kanë shfrytëzuar ditët e festës greke për tu kthyer në atdhe por janë përballur me trafik të rënduar. Po ashtu radhë të gjata ka patur edhe në doganën dalëse, ku ka patur një numër të shtuar të shtetasve grekë që rikthehen në Greqi.

Pas disa orëve pritje, radha në Kapshticë është reduktuar pasi ka ardhur edhe sistemi në bazat kompjuterike doganore që ka përshpejtuar proceduarat e kalimit në kufi.