Shqiptari 31 vjeçar që prodhon dhe shet orë 90 mijë dollarë: Jam krenar që mbroj vlerat tradicionale

Kur “AkriviA” u shpall si fitues i “Men's Watch” në “Grand Prix d'Horlogerie” në Gjenevë, shumica e pjesmarrësve në event, ndoshta dini pak apo aspak për emrin e markës vetëm gjashtëvjeçare.Gjithsesi ata brohoritën për themeluesin e saj, shqiptarin Rexhep Rexhepi.

“AkriviA” është një markë orësh artizanale, për të cilën është duke folur e gjithë bota, pasi me vetëm 6 vite aktivitet në treg, ka arritur të sfidojë gjigandët e “familjes” së vet.

Në kohën e robotëve dhe Inteligjencës Artificiale, vizioni i Rexhepit është prodhimi i mekanizmave kreativë të punuar krejtësisht me dorë dhe të inspiruar nga klasicizmi i Abraham-Louis Breguet.  

I lindur në vitin 1987 në Zhegër të Kosovës, Rexhepi u largua nga vendi i shkatërruar nga lufta në vitin 1999 për të shkuar në Zvicër. Ai hyri në një program mësimor me Patek Philippe dhe më vonë punoi për “BNB Concept”. Në vitin 2012, kur ishte vetëm 25 vjeç, me 100 000 franga zvicerane të kursyera, Rexhepi hapi punëtorinë e vet në zonën e Qytetit të Vjetër të Gjenevës. Fillimisht ai prodhoi kryesisht prototipa për markat e tjera, ndërsa në vitin 2015 u fokusua në zhvillimin e “AkriviA”, që në greqishten e lashtë do të thotë Preçizion.

Fal suksesit të arritur në Gjenevë, Rexhepi ka fituar dhe “zemren” e prestigjiozes New York Times, e cila dy ditë më parë, i ka dedikuar një artikull orëndreqësit shqiptar. “Vetëm 31 vjeç, Rexhepi është një xhevair i pastër i një brezi të ri orëndreqësish të përkushtuar ndaj zejtarisë tradicionale”, shkruan ndër rreshtat e shumtë New York Times.