Shqiptari me Lamborghini e patentë të huaj 'fluturon' me 236 km/h, gjobitet por nuk i hiqet patenta

5 Korrik 2020, 11:32

Një 35-vjeçar shqiptar rezident jashtë vendit dhe me patentë të huaj u ndalua nga policia pasi eci 126 kilometra mbi shpejtësinë e lejuar në Bypassin Fier-Vlorë me Lamborghinin e tij portokalli ditën e djeshme. Nëse nuk do të ishte me patentë të huaj, por me leje drejtimi shqiptari, 35-vjeçari do të kalonte në komision për të marrë masën administrative, si me gjobë që varion nga 50-150 mijë lekë, ashtu dhe me heqjen e patentës nga 3-6 muaj.

Por shoferi që u kap nga radari TruCam me 236 km/h nga 110 km/h që është e lejuar, u gjobit me 30 mijë lekë të rinj, ndërsa nga testi nuk rezultoi të ishte në gjendje të dehur.

Prej vitit 2019 ndryshimi në ligj propozuar në atë kohë nga deputeti Pjerin Ndreu, i jep të drejtë çdo shoferi me patentë të huaj të paguajë dyfishin e vlerës maksimale të gjobës, për të shmangur komisionin përmes të cilit hiqet leja e drejtimit apo ajo e qarkullimit.

Pagesa e kësaj vlere dyfish më shumë, lihet në dorë të vetë drejtuesit të automjetit, si në rastin e 35-vjeçarit me Lamborgini, i cili ka paguar 30 mijë lekë të rinj duke shmangur heqjen e patentës.