Shtëpia e At Gjergj Fishtës shndërrohet në Muze! Rama: U falemi Orëve të Shqipërisë

23 Tetor 2020, 17:09

Shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën. Përurimi është bërë në ditën e tij të lindjes, ku i pranishëm ka qenë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Magariti. Pas shumë problemesh me pronësinë e tokës, por edhe vështirësi të hasura gjatë restaurimit, pasi shtëpia e Fishtës rrezikonte të shembej, tashmë është kryer restaurimi i plotë. Në fjalën e tij, Rama ka lartësuar figurën e Fishtës. " U falemi Orëve të Shqipërisë që na falën një kolos të tillë", tha mes të tjerave Rama. "Shtëpia e rindërtuar e at Gjergj Fishtës çel dyert në këtë përvjetor të lindjes së tij, në Fishtën e bukur ku prej sot ka një arsye më shumë për t'u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare. Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenurit “Homerë të Shqipërisë ”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri tosk e tjetri geg, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima.ë dy të ngjizur me mistikë e të përkryer në politikë, në politikën e shërbimit të kombit të vuajtur e të paepur, jo në atë të “vagabondave e shakllabanve, që rrin tash sa mot tu’u talle npër ne, me na qelb fis e atdhe”. At Gjergji ishte ëndërrimtar e ishte usta. Prej oratorisë s’krështenë, formue pranë De Martinos dhe Mihaçeviqit dhe nën hijen e “cathedra Petri”, në një kohë lulëzimi të literaturës katolike, françeskani sqimatar përftoi nji t’ligjëruem plot tharm e forcë që mbas vedit tërhiqte gjithkënd. Zoti i Shqiptarëve e begatoi me ndjesitë e dhuntitë më depërtuese në shpirtin shqiptar. Stoicizmi i tij ishte sa diellor aq dhe hënor. Për ne shqiptarët, ai është një zgjidhës nyjesh gordiane, nga ajo e alfabetit dhe paqtimit mes elitës katolike e shtetit modern shqiptar, tek ruajtja e kufijve të jashtëm të këtij vendi e naltësimi në vendin që i takonte të “universitas” gegë në të larmishmen Shqipëri. Sa ishte një Homer shqiptar i thellësive shpirtërore, Gjergj Fishta ishte edhe një Perikli i betejave madhore.