Shteti do marrë 405 mln € borxh në vend në 2021, Denaj: Tregu i qëndrueshëm dhe interesa të ulëta

27 Tetor 2020, 17:59

Gjendja e stabilizuar e tregjeve financiare në vend, dhe normat e ulta të interesit do të shtyjnë qeverinë të marrë një borxh në vlerën e 49.9 miliardë lekëve në tregun e brendshëm. Ministrja e Financave Anila Denaj në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ka shpjeguar se marrja e borxhit në tregun vendas është tregues pozitiv.

“Sigurisht do të ketë një rritje të ekspozimit në monedhën vendase kjo nuk është e gabuar por një objektiv i menaxhimit të borxhit në kohë duke parashikuar që edhe normat e interesit në tregun e brendshëm ashtu si edhe këtë vit nuk kanë luhatur aq ndjeshëm sa në një vit të ndjeshëm krize, dhe ne mendojmë që kosto financiare do të jetë brenda parametrave dhe pozitiv”, tha Denaj.

Marrja e një huaje në tregun e brendshëm në monedhën kombëtare shpesh është konsideruar si pozitive nga ekspertët, për shkak se nuk është e ekspozuar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, rritet qarkullimi i parasë brenda vendit, dhe ndikimi pozitiv fillon në momentin e shlyerjes së saj. Por pavarësisht kësaj huamarrje të re Denaj tha se borxhi do të hyjë në trajektore rënëse në fund të vitit 2021, ndërsa këtë vit kostoja e borxhit do të jetë e rritur.

“Parashikohet që niveli i borxhit që në fund të këtij viti në fund të këtij viti të shkojnë në 80.9%, dhe në të ulet 78.6% në vitin që vjen 77.9% në 2022, 76.3% në 2023 për të arritur në 60% në vitin 2025.Kostoja e borxhit, shërbimi i borxhit, interesa dhe ripagesa në fund të këtij viti do të jetë më i lartë për arsye të zgjerimit dhe për shkak të eurobondit me një rritje prej 33.9 miliardë lekë”, tha Denaj.

Ministrja Denaj prezantoi edhe një herë projektbuxhetin e vitit 2021, me objektivin kryesor ri-ngritjen ekonomike.