Shthuret shoqëria/ Përdhunimet u rritën me 40 % në 2019, dyfishohen brenda vitit të pandehurit për krime seksuale

6 Qershor 2020, 22:08

Procedimet penale për përdhunim të të rriturve dhe të miturve, abuzim me fëmijët, për marrëdhënie seksual nën kërcënimin e armës, për vepra të turpshme dhe ngacmime seksuale, janë rritur me rreth 40 % gjatë vitit 2019, krahasuar me vitin 2018. Ndërsa numri i dosjeve që prokuroria ka referuar në gjykatë për krimet seksuale gjatë vitit 2019 është rritur 85,71 krahasuar me vitin 2019. Ndërkaq, numri i të pandehurve për krimet seksuale është dyfishuar. Të dhënat alarmonte reflektohen në dokumentin e Prokurorisë së Përgjithshme për kriminalitetin gjatë vitit 2019, ku flitet për një shpërthim të krimeve seksuale. Të dhënat zyrtare konfirmojnë se ngjarja e rëndë e rojes së një shkolle në Tiranë, i arrestuar për përdhunimin sistematik të një 15-vjeçareje, nuk është një rast i izoluar.

 Më konkretisht, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 29 procedime për veprat penale të marrëdhënies seksuale me të mitur si dhe për marrëdhënie seksuale me dhunë për të mitur nga mosha 14-18 vjeç. Janë referuar 8 dosje në gjykatë, ndërsa janë dënuar 6 të akuzuar për këto vepra të rënda. Ndërkaq, gjatë vitit 2019, janë regjistruar 42 procedime penale për këto vepra penale, janë dërguar në gjykatë 33 dosje, ndërsa janë dënuar 11 persona si përdhunues dhe abuzues. Në total, për krime seksuale, janë regjistruar 158 procedime penale gjatë vitit 2019, janë referuar në gjykatë 89 dosje, ndërsa janë dënuar 49 persona. Në vitin 2018, prokuroria ka dërguar në gjykatë për t’i dënuar 44 të pandehur për krime seksuale, ndërsa në vitin 2019 ka dërguar 89 të pandehur.