Shtohen misteret mbi rrëzimin e avionit Boeing 737 në qiellin e Teheranit

9 Janar 2020, 13:17

Në fund të natës së gjatë që mund të kishte shkaktuar një luftë të re në Lindjen e Mesme viktimat e vetme ishin 176 pasagjerë dhe ekuipazhi ukrainas i Boeing 737 që u rrëzua disa kilometra në veri të Teheranit në orën 6 e  12 minuta  të mëngjesit, menjëherë pasi u ngrit në fluturim.

Në orët e furishme që pasuan sulmet në bazat amerikane në Irak dhe reagimet e mundshme, përplasja apo goditja u përjashtuan menjëherë si shkak i aksidentit si nga autoritetet ukrainase ashtu dhe nga ato iraniane.

Por më pas filluan të shfaqen disa dyshime.

Më herët u zbulua se kishte 63 kanadezë në bord, që fluturonin për në Kiev dhe u përhapën zëra për një "evakuim me nxitim" të qytetarëve perëndimorë nga kryeqyteti i Republikës Islamike.

Shpjegimet e para nga Teherani ishin se shkaku i rrëzimit të avionit ishte zjarri në njërin prej motorëve, por që me kalimin e orëve u duk gjithnjë e më pak bindës sepse një Boeing 737-800 mund të fluturojë edhe me një motor, se rrëzimi nisi kur ai kishte arritur në lartësi 2400 metra me parametra normalë dhe se piloti nuk dërgoi asnjë mesazh radio në lidhje me rrethanat e pazakonta.

Linja ajrore saktësoi sot se avioni ishte i ri, i ndërtuar në vitin 2016 dhe kishte kryer kontrollet teknike më 6 janar.

Po dje autoritetet iraniane të aviacionit njoftuan se nuk do të dorëzonin kutitë e zeza, të rikuperuara gjë që ka shtuar edhe më shumë dyshimet. Më pas Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Ali Abedzadeh saktësoi se hetimi do të kryhej nga Irani me "praninë" e hetuesve ukrainas.