Shtohen rastet e infektimeve me COVID në Elbasan, qytetarët: Të mbyllen lokalet se po marrin në qafë këtë popull, nuk zbatohen masat

27 Shkurt 2021, 16:03

#reportTV #lajmeshqip #lajme Te infektuarit me COVID 19 shtohen çdo ditë në qytetin e Elbasanit. Pavarësisht këtij fakti jeta në Elbasan vijon njëlloj. Qytetarët në shumicën e rasteve nuk mbajnë maskë, ndërsa lokalet dhe baret janë plot. Neglizhenca dhe mungesa e ndërgjegjësimit nga qytetarët në respektimin e masave është një faktor kryesor që ka ndikuar në rritjen e rasteve ditore të personave të prekur me Sars-Cov 2, por ajo që ka ndikuar pozitivisht sipas mjekes epidemiologe Evisa Mici është rritja e numrit të testeve të kontrollit që arrijnë në 200 në ditë. ‘Numri i rasteve pozitiv është rritur ndjeshëm muajt e fundit, por kjo ka ardhur nga mosrespektimi i masave anti-COVID, të distancimit social nga ana e qytetarëve. Numri i testeve të shpejta tashmë është rritur dhe kjo ka sjellë një ndihmesë shumë të madhe në kapjen e rasteve pozitive. Ka arritur në 200 teste në ditë, por duke i ndarë teste të shpejta dhe teste PCR” .’- tha mjekja epidemiologe Evisa Mici. Të pyetur për mikrofonin e Report Tv qytetaret shprehin se lokalet janë vatra kryesore e përhapjes së infeksionit duke kërkuar mbylljen e tyre. “Duhet të mbyllen klubet sa më parë, se po e marrin në qafë këtë popull”, shprehet një qytetar. “Më bëjnë përshtypje lokalet plot, për shumë arsye se dendësia krijon amulli, shkëmbime të ajrit që del prej secilit prej nesh”, thotë një qytetar tjetër nga Elbasani. Pak ditë më parë u hap pavioni Covid në spitalin rajonal të Elbasanit dhe nga raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë numri i personave aktive të infektuar me Covid 19 aktualisht është 887 persona.