Shtohen rastet e kancerit të lëkurës, dermatologia për Report Tv: Kujdes! Edhe në dimër, rreziku i njëjtë sa në verë

30 Shtator 2019, 20:57

Dielli është një ndër faktorët që ndikon në shfaqjen e kancerit të lëkurës dhe rrezikon më së tepërmi personat me një numër të shumtë nishanesh. Dermatologia Eva Jorgaqi në QSUT, tha për Report Tv se është rritur numri i personave që janë paraqitur ne repartin e dermatologjisë pas sezonit veror, ku vetëm këtë muaj janë shënuar tre raste me melanomë.

Kujdesi ndaj nishaneve dhe ndaj diellit nuk duhet vetëm në sezonin veror, por dermatologia rekomandon që të vazhdohet dhe gjatë dimrit.

Përveç diellit ka dhe faktorë të tjerë që ndikojnë tek shfaqja e kancerit të lëkurës, si faktorët gjenetik dhe ato ambiental.  Parfumi një ndër aksesorët e përdorshëm gjatë gjithë vitit, mund të ndikojë si një faktor që rrit rrezikun në shfaqjen e kancerit të lëkurës, ndaj mjekja rekomandon përdorimin në sasi të vogla.

Përsa i përket djegies së nishaneve, ato duhen bërë vetëm pas ekzaminimit të mjekut dhe rekomandimit të tij. Mjekët rekomandojnë se nëse vërehen ndryshime në nishane, paraqitja sa më shpejt tek dermatologu sjell rezultate pozitive në trajtim.