Shtohen rastet me COVID, 10 mijë inspektime në Vlorë për respektimin e masave, Braho: Mbyllen 3 biznese

21 Qershor 2020, 15:34

Rriten inspektimet ndaj bizneseve në Vlorë nëse respektohen apo jo masat anti-COVID. Drejtoresha e ISHSH-së Vjollca Braho ishte në terren për të parë sa respektohet protokolli i sigurisë duke konfirmuar që deri më tani janë bërë mbi 10 mijë inspektime.

Rastet e shtuara në Vlorë me koronavirus kanë shtuar kontrollet ndaj bizneseve në këtë qytet për respektimin e masave anti-COVID. Drejtoresha e ISHSH-së Vjollca Braho konfirmoi se prej nisjes së pandemisë janë kryer mbi 10 mijë inspektime, ndërsa së fundmi janë vendosur 21 gjoba ndaj subjekteve të ndryshme.

“Në qytetin e Vlorës janë vëzhguar nga ana e ISHSH-së, që disa subjekte nuk i kanë realizuar masat dhe janë gjobitur. Në Vlorë ISHSH ka vendosur 21 masa administrative për gjobë, dhe 3 subjekte janë mbyllur përkohësisht pasi ka pasur raste me COVID-19.  Dua të falenderoj Drejtorinë e Vlorës për punën e shkëlqyer që ka bërë gjatë kësaj periudhe. Që në fillimin e pandemisë ka bërë mbi 11 mijë inspektime”, u shpreh Braho.