Prej tre vitesh stafi artistik i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë bërë provat në ish-Kinostudio. Edhe për këtë sezon kori i drejtuar nga Dritan Lumshi, orkestra e dirigjuar nga Edmond Doko edhe solistët janë duke u përgatitur për koncertin e parë për vitin 2020 me arie të Xhakomo Puçinit (Giacomo Puccini-t) në sallën “Tefta Tashko” në Ministrinë e Kulturës. Janë arie të operave të njohura të Puccinit, si nga “La bohème”, “Toska” dhe “Madame Butterfly”, në të cilat dominojnë personazhet femëror, heroina që luftojnë për dashurinë e tyre, edhe pse përjetimet e tyre dramatike janë të mëdha. Artistët më në zë të operës rrëfejnë ariet që i bën bashkë në “Puccini in love”.
