Shtyhet miratimi i Paketës Fiskale/ Makinat elektronike pa TVSH, Ahmetaj: Përjashtoni edhe autobusët! Mesi: Hiqeni edhe për ushqimet

14 Nëntor 2019, 20:46

Makinat elektrike do të përjashtohen nga pagesa e TVSH-së. Tashmë çdo makinë e vogël që hyn në vendin tonë dhe nuk është e regjistruar në asnjë vend tjetër por importohet nga vendet e Bashkimit Evropian nuk do të paguajë asnjë detyrim. Ky është një nga ndryshimet e propozuara në ligjin “Për Tatimin Mbi Vlerën E Shtuar”, dhe që është pjesë e paketës fiskale. Por gjatë diskutimit në Komision e Ekonomisë, ish zëvendës kryeministrja Senida Mesi është shprehur kundër këtyre lehtësirash dhe ka kërkuar të hiqet TVSH për produktet ushqimore.

“Ne po shkatërrojmë komplet logjikën, se po vendosen ca taksa dhe po reduktohet TVSH-ja. Kemi dy propozime, nga njëra anë përjashtim TVSH-je për makinat elektrike, dhe nga ana tjetra mos vënie takse qarkullimi për makinat e përdorura për dy kategori makinash. A është më mirë që ne të diskutojmë për diskutimin e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, duke filluar nga buka qumështi apo veza, nga të cilat qytetarët automatikisht përfitojnë”  u shpreh Mesi.

Ndërsa ish Ministri Arben Ahmetaj ka kërkuar edhe përjashtimin nga TVSH të autobusëve elektronik që paguajnë TVSH 10%, në rast se qeveria kërkon të lehtësoj këtë kategori automjetesh. “Përderisa ju përjashtoni makinat e vogla elektrike nga TVSH duhet të përjashtoni edhe autobusët elektrik të transportit publik. Do të depozitoj një amendament për këtë gjë, duhen përjashtuar edhe autobusët” është shprehur Ahmetaj.

Aktualisht në Shqipëri vetëm në 2019 në vendin tonë kanë hyrë 170 makina elektrike, të cilat kanë ndotjen zero. Ky ndryshim vjen pak ditë pasi Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, vendosi të rimbursojë çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike. Ndërkohë në komision janë shtyrë diskutimet për miratimin e paketës fiskale deri në shqyrtimin fillimisht të projektligjit të fiskalizimit.