Shtyhet nesër vendimi i Apelit për 'fatin' e pronave të Ylli Ndroqit/ Avokati: Sollëm prova të reja!

26 Gusht 2020, 14:39

TIRANË- Është shtyrë për nesër vendimi i Gjykatës së Apelit për "fatin" e pronave të sekuestruara të biznesmenit Ylli Ndroqi. Shkak për këtë është bërë dosja voluminoze, ku si u shpreh dhe vetë avokati i tij, Alban Qafa ka një "mal me prova" që vërteton se pasuria e Ndroqit është 100% e ligjshme. Qafa tha se gjatë seancës së sotme ka paraqitur prova të reja.

"Po depozituam një prove të re që nuk e kishim depozituar më parë. Vetë administratori i pasurive i caktuar nga shteti, ka marrë informacion nga banka për mjetet e Ora Neës janë marrë me lizing, si mund të sekuestrosh pasuri që janë marrë me lizing. E ka konstatuar dhe administratori këtë, prokuroria u shpreh që janë në fazën fillestare të hetimeve, kërkuan që provat e marra t'i depozitojmë te ato", tha Qafa.

Ai theksoi se Ndroqi nuk është arrestuar asnjëherë në Itali, pasi vendimi i gjykatës së Milanos i 2006 është shfuqizuar në vitin 2010. Për këtë, thekson Qafa, ekziston vetëm një dokument nga Interpol Tirana, por nga Ministria e Brendshme Italiane, thotë se nuk ka asnjë shkresë.

"Depozituam dhe një kopje të pasaportës të Ylli Ndroqit, pretendohet se është arrestuar në shkurt të 2015, që është dhe si për barcaletë, vendimi i masës së arrestit është lëshuar në Milano 2006, është shfuqizuar në 2010. Me vendim të shfuqizuar në 2010 se si mund të arrestohet një person në 2015 vetëm ata që e kanë shkruar, vetëm ata e dinë.Ndroqi në shkurt ka qenë në Mynih, në mars ka qenë në Moskë në korrik në SHBA, nuk ka asnjë arrestim për Ndroqin. Nuk ka asnjë dokument nga Itsali që thotë se Ndroqi ka qenë i arrestuar, por vetëm nga Interpool Tirana. Ministria e Brendshme e Italisë nuk ka një dokument që është arrestuar", tha Qafa.