Shtyhet për në shtator pretenca, Tahiri: S'kam ngelur kurrë në vjeshtë! Nuk jam modeli i burrave me botox

22 Korrik 2019, 12:21 | Përditesimi i fundit: 2019-07-22 14:59:08

TIRANË- Shtyhet për në shtator pretenca për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Në 10 shtator pritet që prokuroria të paraqesë konkluzionet e saj ku do të shfaqë edhe kërkesën e saj se me sa vite do të dënohet Tahiri. Gjykata për Krime të Rënda pranoi sot kërkesën për gjykim të shkurtuar për Tahirin, që do të thotë se hetimi do të vijojë duke u referuar në provat e mbledhura deri më tani, duke mos pranuar më prova të reja. Ish-ministri Tahiri tha në një prononcim për mediat në përfundim të seancës, se pretenca u shty për në vjeshtë, për shkak se në muajin gusht, gjykata është pushim. 

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mbërriti mesditën e sotme në  Gjykatën e Krimeve të Rënda nën shoqërinë e avokatit të tij, Maksa Haxhia. Seanca e shkuar gjyqësore u shty për shkak se prokuroria nuk gjeti tre procesvebale, të cilat siç ish-ministri tha sot, ato ende nuk janë gjetur, por prokuroria i përktheu nga fillimi dokumentet origjinale. 

Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes 'Habilaj'. 

I pyetur në lidhje me vendimin për të shtyrë në shtator pretencën, duke e zgjatur kështu procesin, Tahiri u shpreh se domosdoshmëria për të nxjerrë fundin e këtij procesi nuk është e tij, por është e pashpjegueshme sipas tij, sesi në dy vjet prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të re nga shtatori i vitit 2017 kur nisën hetimet ndaj tij dhe prokuroria në atë kohë i kërkoi Parlamentit, arrestimin e Tahirit, kërkesë që u rrëzua.