Shtyhet seanca për Tahirin, avokati: Do të kërkojmë gjykim të shkurtuar

21 Mars 2019, 16:18

TIRANE-Gjykata për Krimet e Rënda ka shtyrë sot seancën paraprake për Saimir Tahirin dhe tre ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës. Shkak është bërë fakti se tre të akuzuarit e tjerë nuk janë njoftuar. E ndërsa Tahiri nuk pranoi që të bënte asnjë koment,  avokati i tij, Maks Haxhia, pasi e cilësoi mungesë profesionalizmi paralajmëroi se mund të kërkojë gjykim të shkurtuar.  

'Është shtyrë seanca sepse organi i prokurorisë nuk kishte bërë njoftimet për të pandehurit e tjerë. Nëse do vazhdojë kështu kalvari i zgjatjeve do të detyrohemi ta bëjmë kërkesën me gjykim të shkurtuar sepse gjithë materiali që ne kemi parë nuk ka asnjë provë që të implikojë Tahirin. Nuk ka letër-porosi ishte abuzim dhe keqdashje në çështjen Tahiri" deklaroi ai.

Seanca tjetër gjyqësore për Tahirin është caktuar në datë 26 mars në orën 10:00. Më 28 shkurt, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”