Shtyrja e vendimit për negociatat/ Basha: Rama përgjegjës kryesor! I bindur që do ia vërë fajin opozitës

18 Qershor 2019, 22:09

Kryedemokrati Basha ka bërë përgjegjës kryesor kryeministrin Edi Rama për shtyrjen e vendimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE. Në një dalje për mediat nga selia blu, Basha tha se ky vendim ishte i pritshëm, ku ka ripërsëritur kërkesën e tij që Rama të japë dorëheqjen. Në vëmendje ka risjellë edhe një herë përgjimet  e dyta të "Bild", ku përmendej për herë të parë kreu i qeverisë, sipas së cilit ato i treguan botës që kjo qeveri ka ardhur dhe e mban pushtetin në bashkëpunim me krimin.

"Sot, Shqipërisë iu mohua për të tretën herë, nën qeverisjen Rama, hapja e negociatave për anëtarësim me BE. Edhe pse i pritshëm,është një lajm i hidhur për ne shqiptarët, që, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar nga Europa. Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit. Ky bashkëpunim kriminal e ka shkrirë krimin, qeverinë, administratën dhe Partinë Socialiste në një të vetme. Kjo aleancë është një rrezik i qartë jo vetëm për demokracinë, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë publike dhe kombëtare të vendit", tha Basha.

Deklarata e Bashës vijon më tej, duke u shprehur i bindur se kryeministri do të fajësojë opozitën, Europën, madje edhe vetë popullin, duke e larguar fajin nga vetja e tij.

"Propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin. Pasi do të dështojnë ta mohojnë, do të përpiqen t’ia veshin fajin të tjerëve. Edi Rama do të fajësojë Europën se ka probleme të vetat. Do të fajësojë opozitën që nuk rri urtë para keqqeverisjes së tij. Do të fajësojë gjysmën e botës. Do të fajësojë edhe popullin e vet. Nuk do të fajësojë vetëm një njeri: Edi Ramën", tha më tej kryedemokrati.  

Kjo dalje e tij për mediat, vjen pak orë pas tensioneve që janë krijuar në bastionet e PD në KZAZ dhe qendrat e votimit, më e fundit episodi në Shkodër ku iu vu flaka një shkolle, por përballë tyre, Basha zgjodhi të heshtë.

    No videos found.