Shuhet kolosi i humorit Gëzim Kruja

5 Prill 2020, 13:06

Humori shqiptar në zi! Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare mjeshtri i madh i skenës Gëzim Kruja. Ai u shua sot paradite, ndërsa lajmi është konfirmuar nga familja. Gjendja e tij ka qenë e rënduar, ndërsa kohët e fundit e kishte të pamundur të fliste për shkak të sëmundjes. Dalja e tij e fundit për mediat ishte në festën e 80-vjetorit të lindjes në dhjetor të vitit të kaluar, që miqtë e teatrit i organizuan. Vepra e fundit që ngjiti në skenë Gëzim Krujën ishte në vitin 2018.

Humoristi shkodran lindi në 4 dhjetor 1939. Gëzim Kruja karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore nisën që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.