SI BERISHA FAVORIZON FAZLIÇIN ME VKM PËR PORTO ROMANON DHE BLLOKOI PROKURORINË QË PO E HETONTE PER PASTRIM PARASH

30 Mars 2021, 13:57

Përse Damir Fazlliç pranoi të paguante tokën me 18 euro metri katror, duke dhuruar në këtë mënyrë Argita Berisha dhe Flutura Kola më shumë se 400.000 euro, duke pasur mundësinë të blinte tokat direkt me 9 euro nga familjet që ishin të gatshme ta pranonin atë çmim?  

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet të bëjmë një hap pas. Në vitin 2001 qeveria socialiste, vendosi te ngrihej në zonën e Porto Romanos, pikërisht pranë fshatit Rinia, një park energjetik mbi një sipërfaqe 54 hektarë, dhe kërkesa e parë e Fazlliçit ishte për të blerë disa hektarë tokë pikërisht brenda perimetrit të parkut energjetik. Por tokat e lira ishin mbaruar dhe kështu Fazlliç nis të blejë edhe jashtë perimetrit të parkut duke i kërkuar ndihmë Argita Berishës që dërgon të shoqin në fushën e gjuetisë për pensionistë që ishin të gatshëm të shesin.

Familja Berisha blen toka jashtë parkut Energjetik, duke e ditur se mund të mbështeteshin edhe këtë herë në ndihmën dhe ndërhyrjen e baba Sali Berishës. Nga dita që Fazlliç blen tokat nga Jamarbër Malltezi kalojnë vetëm shtatë muaj. Më 23 prill 2008 Sali Berisha firmos VKM me numrin 703 me të cilën aprovon studimin “Zhvillim i integruar (në sinergji) i zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos, Durrës, infrastruktura dhe konturet e saj”. Praktikisht Sali Berisha ndryshon perimetrin e Parkut Energjetik që nga 54 hektarët e aprovuar në 2001 e shtrihet në një sipërfaqe prej 801 hektarësh, duke përfshirë natyrisht edhe tokat e blera nga Fazlliç. Siç shihet nga kjo planimetri, Berisha fut në plan pikërisht në tokat e blera nga miku boshnjak parashikimin e ndërtimit të një depozite karburanti dhe të një termocentrali, duke ia shtuar vlerën. Janë mesa duket të njëjtat toka që Argita Berisha u përpoq t’ja shiste biznesmenit pakistanez Ansar Alzar, i cili po projektonte të ndërtonte në Porto Romano një termocentral e nga i cili ajo kishte pretenduar një pagesë si konsulencë nga 1.5 në 3 milionë euro, duke e detyruar të dorëzohet.

Me 2 tetor 2008 Damir Fazlliç ndalohet nga forcat speciale të Sarajevos, në Bosnjë, pasi u kap në shoqërinë e Naser Oriç, një ish komandant i ushtrisë boshnjake i dënuar për krime lufte nga gjykata e Hagës. Fotoja e tij me pranga del dhe në mediat shqiptare duke ndezur një rrebesh politik. Opozita socialiste denoncon publikisht aferat e Damir Fazlliçit me familjen Berisha dhe Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar nga Ina Rama vendos të nisë hetimet për pastrim parash.    

    No videos found.