Si e shkriu Berisha Institutin e Sizmologjisë në 2007, la shqiptarët dhe institucionet të painformuar në kohë për tërmet

30 Nëntor 2019, 15:21 | Përditesimi i fundit: 2019-11-30 16:19:01

TIRANË - Deri në vitin 2007, Shqipëria, si çdo vend me sizmicitet të lartë, ka pasur një institut dhe rrejt sizmologjik, me qëllim informimin në kohë të qytetarëve dhe organizmave shtetërore kur bien tërmete të forta, për të evituar humbjen e jetëve njerëzor. Në gusht të vitit 2007, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, vendosi të shkrinte Institutin e Sizmologjisë, duke e bashkuar me disa departamente të tjera, ku të gjitha së bashku do organizoheshin në Institutin e Gjeoshkencave (IGJEO), si njësi kryesore, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Meqenëse transformimi nuk mund të bëhej menjëherë, instituti kaloi në një periudhë kalimtare. Me këtë vendim (Nr. 561, datë 22.8.2007), detyra e Institutit të Sizmologjisë kaluan si detyra të Institutit të Gjeoshkencave.

Katër vite më vonë, në korrik të 2011, Berisha merr një tjetër vendim, ku shfuqizon vendimin e tij të parë të vitit 2007. Pas një jave, në bazë të vendimit të Berishës, Myqerem Tafaj, në atë kohë Ministër i Arsimit, firmos një urdhër për krijimin e Institutin e Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, si njësi kryesore, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. I gjithë misioni i Institutit të Sizmologjisë deri në vitin 2007, kaloi në dy detyra për (IGJEUM): ‘Monitorimi, regjistrimi dhe analizimi i vazhdueshëm i aktivitetit sizmik të vendit, nëpërmjet rrjeteve kombëtare të monitorimit sizmologjik dhe gjeodinamik, si dhe njoftimi në kohë reale i organizmave shtetërorë përgjegjës për emergjencat civile dhe i publikut për rreziqet nga tërmetet; Studime të thelluara në fushën e sizmologjisë dhe të sizmotektonikës për tërmetet që godasin vendin tonë”.