Si ishte dhe si u bë/ Shtëpi të re dhe libra falas për familjen e varfër në Gramsh, Rama: Pa gratë, jemi shkop i thatë

5 Shtator 2019, 19:53

 

Brenda një viti ka ndryshuar si nata me ditën jetesa për familjen e Kujtim Sharkut në fshatin Pishaj në Gramsh, pasi banesa e tyre e rrënuar plotësisht u rikonstruktua me iniciativë të kryeministrit Edi Rama, që sot ishte i pranishëm për të dorëzuar çelësat e shtëpisë së re. Kreu i qeverisë tha se do të bëjë një inventar të familjeve në nevojë për t'i ndihmuar përmes vullnetarëve.

"Në këto shtëpi që kemi ndërtuar dhe që ka të tjera dhe që do i bëjmë, tani po bëjmë një inventar të këtyre situatave dhe do të vijojmë më shumë. Kemi disa ide të reja për të bashkëpunuar me këto grupet e vullnetarëve për t'u dhënë mundësi edhe të tjerëve për të dalë nga këto situata të tmerrshme. Ne nuk duam qoftë që edhe një familje e vetme të mbetet mbrapa për të pasur kushtet normale. Atë që themi ne e bëjmë, jo gjithmonë në kohë, pasi nuk mund të parashikohen të gjitha, duhet durim i madh, por i duruari i fituari" tha ai.

 

 

Në fund, në momentin e largimit nga banesa nuk munguan edhe batutat nga kryeministri, që u shpreh se "Gratë janë në fillim, pa gratë ne jemi shkop i thatë". Ndërkohë që statusin e tij e mbyll me një thënie të Nënë Terezës "Më mirë se të mallkosh errësirën, përpiqu të ndezësh një qiri”.

Familja Sharku, e cila është në skemën e ndihmës ekonomike, tashmë ka një strehë të vërtetë. Fëmijët e familjes, në këtë fillim viti të ri shkollor do të marrin edhe librat falas pas nismës së qeverisë për shpërndarjen e librave falas për të gjithë fëmijët në vend.

    No videos found.