Report TV vëzhgoi dhjetëra kontrata për blerjen e tokave në Porto Romano të kthyera në pronë të Damir Fazlliçit dhe të paguara gjithnjë me para në dorë. Nga kontratat e vëzhguara nga redaksia jonë investigative, Fazlliç, përmes Croën Acquisition, del se ka blerë direkt nga fshatarët e zonës rreth 60.000 metra katrorë tokë arë, duke e paguar 18 euro për metër katror. Sipërfaqja që i duhet është shumë më e madhe ama, por siç Flutura Kola i shpjegon prokurorit që e merr në pyetje me 18 dhjetor 2008, pjesa më e madhe e tokave që ndodhen në Parkun Energjetik dhe ku është e mundur të ndërtohet depozita e gazit dhe nafte që Fazlliçi ka ndërmend të realizojë, janë tashmë të shitura. Afaristi boshnjak në këtë pikë vendos të blejë toka edhe jashtë perimetrit të parkut energjetik të Porto Romanos. Në këtë moment hyjnë në skenë bashkëshortët e Argita Berishës dhe Flutura Kolës, Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola. Ata blejnë tokat duke gënjyer fshatarët e zonës, të cilëve ua blejnë tokën vetëm 1200 lekë për metër katror (në atë kohë rreth 9 euro) duke e ditur se mund t’ja shisnin Fazlliçit me dyfishin e çmimit.
Siç shihet në këtë kontratë për shembull, Jamarbër Malltezi me 23.07.2007 blen nga familja Matmuja 6512 metra katrorë tokë arë tek fshati Rinia që e paguan 7.814.000 lekë të reja, që janë baras me 58.500 euro. Janë njerëz të thjeshtë, një prej tyre nuk di as të shkruajë dhe në fakt e firmos kontratën e shitjes për dhëndrin e kryeministrit me gjurmën e gishtit. Është një mashtrim autentik, sepse Jamarbër Malltezi e ka gati blerësin, të gatshëm të paguajë dyfishin. Në fakt më 11 shtator 2007 ia rishet të njëjtën tokë prej 6512 metra katrorë Damir Fazlliçit, duke arkëtuar 117.2016 euro, pra dyfishin e shumës që i ka paguar familjes Matmuja. Në kontratën e shitjes është dhe firma e Argita Berishës, totalisht bashkëpunëtore e mashtrimit. Në më pak se 48 ditë e bija dhe dhëndri i kryeministrit fitojnë në kurriz të një familje analfabetësh 60.000 euro. Dhe sigurisht që ky nuk është i vetmi rast.