Si po zhvillohet një ceremoni mortore në kohë koronavirusi?! Vëzhgim tek varrezat e Sharrës

18 Mars 2020, 11:28

TIRANË - Si po zhvillohen ceremonite mortore në këtë kohë kur Shqipëria është prekur nga koronavirusi?

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ishte këtë të mërkurë pranë Varrezave të Sharrës, ku ka prani të personave që bëjnë pastrime e dezinfektime të ambientet për të mos rrezikuar personat e afërt që duhet t'i japin lamtumirën e fundit njerëzve të zemrës. 

Varrezat ishin të boshatisura. Nuk ka persona që të shkojnë për të vizituar të afërmit që janë ndarë nga jeta. Por edhe ceremonitë e varrimit bëhet me një numër shumë të vogël personash. Një pjesë e personave vijnë me këmbë ose biçikleta, pasi brenda hapësirës së varrezave lejohet të futen vetëm makinat funerale.

Në një ceremoni të orës 11:00 ra në sy se ishin vetëm 6 automjete shoqëruese, ku personat ishin të gjithë me maska e doreza. Për çdo lëvizje për të kryer një rit mortor njoftohet policia, për të mos penguar qarkullimin e automjeteve të pakta që do të duhet të jenë tek varrezat.