Si u zbuluan vrasësit e efektivit të FNSH Xhulio Prela/ Plot 20 kamera siguri zbardhën gjithçka, nga targa e makinës së autorëve te identifikimi i ish-pronarit

21 Dhjetor 2020, 15:44

20 kamera sigurie të sekuestruara në të gjithë gjatësinë e superstradës Lezhë-Laç në bizneset në afërsi kanë bërë të mundur zbardhjen e ekzekutimit të efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Xhulio Prela. Qarkullimi në atë orar lëvizjeje në superstradë ka qenë shumë i ulët, detaj që ka ndihmuar hetuesit në qartësimin e ngjarjes.

Përmes pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës kanë mundur të identifikojnë targat e automjetit të autorëve të dyshuar të ngjarjes, të cilat kanë çuar deri në identifikimin e pronarit. Pas hetimeve të para, burimet saktësojnë se pronari i automjetit me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar e kishte shituar atë pak muaj më parë. Ai para grupit hetimor ka treguar pronarët e rinj të mjetit të shitur, pavarësisht se nuk ishte kryer akti i kalimit të pronësisë së makinës nga një pronar tek tjetri, ashtu siç e parashikon ligji. Grupi hetimor akoma e ka të paqartë se cili prej dy personave të dyshuar është autorë i ngjarjes, Nikoll Sherrniku, tashmë i arrestuar, apo Brilant Martinaj, në kërkim, i cili ka qëlluar në drejtim të Xhulio Prelës. Pamjet e kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes janë të paqarta për shkak të distancës së largët, çfarë ka sjell vështirësi në identifikimin e personit që ka shkrehur armën. Nikoll Shermiku është arrestuar pasditen e së shtunës, ndërsa pritet të dal për rivlerësimin e masës së sigurisë në gjykatë. Masa "arrest me burg” ishte caktuar që më parë nga Gjykata e Lezhës, kur ai ishte në kërkim. Deri tani Sherrniku nuk është marrë në pyetje, ndërsa pritet të pyetet në seancën e rivlerësimit të masës.