Siguria ushqimore, asistenca sociale, cigaret/ Çfarë duhet të dini nga ligjet e reja që miratoi Kuvendi

19 Korrik 2019, 14:46 | Përditesimi: 19 Korrik 2019, 14:46

TIRANE - Në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar kaluan disa ligje të rëndësishme. Ndër to është ligji për sigurinë ushqimore që parashikon masa të rrepta deri në disa vite burg për abuzuesit. Gjithashtu u miratua dhe ligji për ndihmën sociale duke bërë kështu që vlera që do marrë secila familje të përcaktohet në bazë të nevojës.

Sa i përket ligjit për duhanin, tashmë nuk do të lejohen nargjilet (shisha) në ambiente të mbyllura, ndërsa rrugët Orikum-Llogara dhe Milot – Balldren janë dhënë me koncesion nga Ministria e Financave.

Siguria Ushqimore

Në mesin e debateve politike, në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar, në Kuvend kaluan ligje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt qytetarët, përfshirë këtu sigurinë ushqimore.  Ligji i kaluar në Kuvend, adreson disa ndryshime të rëndëisshme që kanë të bëjnë me rishikimin e dispozitave ekzistuese që lidhen me sigurinë ushqimore dhe krijimin e figurave të reja penale. Në abuzimet me sigurinë ushqimore ka parashikime për dënime më të ashpra. Deri më tani, një person që fuste lëndë të ndaluar në ushqime, edhe në rast se nga kjo vdesin persona, dënohet nga gjoba deri në 10 vjet burg. Ligji propozon që në çdo rast kjo vepër të dënohet me burg, ndërsa kur nga këto veprime janë prekur fëmijë ose gra shtatzëna, të dënohet me burgim nga dhjetë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet.  Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi i shitjeve apo vendosja në qarkullim e ushqimeve, pijeve të dëmshme, por edhe prodhimi dhe përpunimi i ushqimeve dhe pijeve në shkelje të kërkesave të legjislacionit të posaçëm dënohet me burgim deri në tre vjet.  Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shendetit ose vdekja e disa personave, fëmijëve, grave shtatzëna dënohet me burgim nga dhjetë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet. Dënim me burg do të ketë edhe për ata persona që ndërrojnë ose falsifikojnë shenjat e sigurisë të vendosura nga autoritet përkatëse në pije ose produkte ushqimore.

b.ha./Shqiptarja.com