Sigurimet shoqërore, buxhetorët do t'i paguajnë bashkë me rrogën...në ditët e para të muajit

30 Tetor 2019, 18:23

TIRANE - Institucionet buxhetore nuk do të paguajnë më kontributet e punonjësve të tyre më datë 20 të muajit pasardhës, sipas rregullit që është aktualisht në fuqi, por bashkë me pagat. Në një sqarim të publikuar sot, ministria e Financave dhe Ekonomisë ka bërë të ditur se është duke përgatitur një Udhëzim të ri për Buxhetin. Duke bërë një ndryshim në rregullat aktuale për kontributet, është vendosur që pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore të institucioneve buxhetore do të kryhen njëkohesisht me pagesën e borderosë, dhe jo pas 20 ditëve.

Ministria deklaron se, prej shumë kohësh, janë krijuar detyrimeve të prapambetura të kontributeve shoqërore nga subjekte juridike dhe institucione buxhetore dhe jobuxhetore. Por ajo siguron qytetarët se ka ndërmarrë masat e nevojshme, brenda hapësirave që lejon ligji, që të bëjë të mundur amortizimin, deri në eliminim, të të gjitha detyrimeve të prapambetura. ”Çështje të kësaj natyre nuk cenojnë në asnjë formë ecurinë e buxhetit të shtetit dhe qëndrueshmërinë e indikatorëve bazë të ekonomisë”, theksojnë Financat.