Siri, ushtria e Damaskut në veri pas marrëveshjes me kurdët, bombat godasin gazetarë të huaj

14 Tetor 2019, 11:50

Ka marrë një kthesë të tmerrshme lufta në Veri-Lindje të Sirisë. Forcat kurde kanë arritur një marrëveshje me regjimin e Bashar al-Asad, e paimagjinueshëm deri para disa ditësh, për të lejuar trupat nga Damasku "të mbronin" qytetin kryesor të Kobane, i kërcënuar nga ofensiva turke.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Rusia e Vladimir Putin dhe e konfirmuar nga palët, gjithashtu ka të bëjë edhe me qytetin tjetër strategjik, Manbij, në perëndim të lumit Eufrat.

Negociatat midis Forcave Demokratike Siriane dhe qeverisë Siriane u zhvilluan në bazën ajrore ruse të Hmeimim në Latakia.  Spiralja e papritur e luftës ndryshoi menjëherë pasi amerikanët njoftuan evakuimin e mijëra ushtarëve të tyre nga e gjithë zona e përfshirë në fushatën ushtarake turke.

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi tërheqjen e 1000 ushtarëve nga Siria veriore me arsyetimin se është më mirë të mos përfshihen në luftime.

Vendimi i presidentit Donald Trump vjen një javë pas ripozicionimit të dhjetëra ushtarëve amerikanë që punojnë së bashku me milicitë kurde në luftën kundër ISIS. 

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes i SHBA Mark Esper tha se Turqia ka ndër mend ta shtrijë ofensivën e saj edhe më tej dhe se milicitë kurde po përpiqen të ndërtojnë një marrëveshje me sirianët dhe rusët për një kundërsulm ndaj turqve në veri. Në këto kushte shtoi ai - ne do të mbetemi të bllokuar midis dy forcave sulmuese dhe është më mirë të tërhiqemi.