Situata në Kakavijë/ Meta akuzon qeverinë: Nuk ushtroi përgjegjësitë e saja! Si çdo herë drejton gishtin përtej kufirit

17 Gusht 2020, 15:07

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka bërë përgjegjëse kryesore qeverinë, për situatën e krijuar në Kakavijë prej 5 ditësh. Meta e nisi konferencën për mediat me një falje në emër të shtetit drejtuar qytetarëve që pritën në radhë, teksa ka hedhur akuza të drejtpërdrejta për Edi Ramës se nuk i ka ushtruar përgjegjësitë e tij, as si kryeministër dhe as si ministër i Jashtëm, por i braktisi qytetarët. Teksa bën fajtore qeverinë, kreu i shtetit mbrohet duke thënë se ai vetë ka bërë përpjekje maksimale për ta zgjidhur këtë situatë, por pyetjes së Report Tv se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, Meta u mjaftua të thoshte vetëm se "janë bërë të gjitha veprimet e duhura".

"Nga ana e presidentit janë bërë të gjitha veprimet e duhura, jo vetëm publikisht që kanë qenë shumë të rezervuara për të mos ndikuar në një debat të panevojshëm, duke qenë se ishte një çështje shumë e madhe humanitare. Në të gjitha rastet presidenca ka bërë përpjekjet e tij më të mira, që të parandalojë çështje të tilla", tha Meta. 

Për kreun e shtetit kjo situatë mund  të ishte parandaluar pasi ishte e pritshme që do të kishte një fluks të madh të emigrantëve në kufi, pasi përkon me kohën kur emigrantët rikthehen në shtëpitë e tyre. Nisur nga kjo, Meta nuk i ka kursyer as ironitë, për qeverinë, ku thotë se do u dërgojë një kalendar me të gjitha festat e rëndësishme ku pritet një fluks i madh në kufi.

"Nga dita e nesërme do i çoj një kalendar qeverisë sipas vlerësimit të institucionit tonë për të parandaluar raste të tilla, duke pasur parasysh frekuencën e kalimit në kufi, që nga Pashkët, Krishtlindjet, Viti i Ri, kohën kur vijnë në pushime dhe kur largohen që të mbajnë punën atje", tha Meta.