Situata në malin e Tomorit/ Lëkurat e qingjave dhe zorrët presin fundin e pelegrinazhit për t'u groposur

25 Gusht 2020, 14:40 | Përditesimi i fundit: 2020-08-25 16:50:16

TIRANE-Sot është dita e fundit e pelegrinazhit në Malin e Tomorit. Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen. E ndërsa ndryshe nga vitet e tjera, ku thereshin vend e pa vend, këtë vit kurbani është bërë në një vend të caktuar. Por problemi nuk është zgjidhur tërësisht, pasi kasapët pas therjes së qengjave të brendshmet i kanë hedhur diku në pritje të pelegrinazhit për t'i groposur.Por në pritje të mbarimit të pelegrinazhit, zorrët dhe të brendshmet e tjera të qengjave janë kthyer në rrezik për përhapjen e ndonjë sëmundje. Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës,por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorit, i cili ndodhet 2417 metra mbi nivelin e detit. Pelegrinazhi zhvillohet cdo vit nga 20-25 gushti.